Caktohet data e konstituimit të Kuvendit, Tahiri pret qeveri të drejtuar nga Hamza

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 shkurtin si datë të konstituimit të legjislaturës së re të kuvendit.Tahiri tha se vendi gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese, ku sipas tij, kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje.
“Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj”.
“Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurinë në shoqërinë tonë”.
“Sanksionet e Bashkimit Evropian që rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, tha Tahiri.
Ai tutje u shpreh se në këto kushte, formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga ajo, siç sipas tij, është parë gjatë katër viteve të fundit është më se e domosdoshme.
“Kosova mundet #mamirë me një qeveri të drejtuar nga Bedri Hamza, e cila do të jetë në gjendje të adresojë efektivisht sfidat e shumta që e presin vendin”.
“Qytetarët e Kosovës kanë folur qartë me votën e tyre. Tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”, tha ai.