Xhavit Haliti falënderon votuesit: “Nuk u zgjodha deputet, po do të vazhdoj të jem zë i fuqishëm brenda PDK-së”

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbi 15,500 qytetarë brenda dhe jashtë Kosovës që i besuan votën në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, transmeton portali DrenicaOnline.
Në një mesazh falënderimi, Haliti ka theksuar se, ndonëse votat e fituara nuk ishin të mjaftueshme për ta siguruar mandatin e tij të shtatë si deputet, ai mbetet i përkushtuar ndaj vizionit politik dhe kombëtar për të cilin është angazhuar për më shumë se gjysmë shekulli.
“Mbështetja juaj është burim fuqie për të kontribuar në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më përparimtare dhe më të sigurt për të gjithë,” ka deklaruar Haliti, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm brenda PDK-së.
Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin sa më shpejt të institucioneve të reja funksionale, për të siguruar stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në vend.
Në fund, Haliti ka uruar deputetët e PDK-së dhe të gjithë të zgjedhurit për punë të mbarë dhe të suksesshme në shërbim të qytetarëve dhe Kosovës./DrenicaOnline/