Komedianët rusë thonë se e mashtruan Kurtin, “iu prezantuam si president i Letonisë”

Komedianët e njohur rusë, “Vovan & Lexus” publikuan të martën në kanalin e tyre një video me kryeministrin Albin Kurti. Ata pretendojnë se Kurti ka rënë pre e mashtrimit të tyre.
Komedianët në shkrimin e publikuar me këtë rast tregojnë se i janë prezantuar Kurtit si president letonez. Presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics, më 20 mars qëndroi në Kosovë.
Në video shihet se kryeministri Kurti flet në gjuhën angleze.
Ai dëgjohet duke u ankuar se ndaj tij ka pasur luftë hibride, kryesisht nga Serbia, Rusia “por edhe elementë të tyre brenda Kosovës”.
Kurti kritikoi edhe zyrtarin e lartë të SHBA-ve Richard Grenell, duke theksuar se ai ka punuar katër vjet kundër tij.
“Ai ka qenë edhe instrument në rrëzimin e Qeverisë sime herën e kaluar. Grenell ka dekoratë në Serbi. Nuk është mirë që të marrësh një të tillë nga një shtet autoritar dhe të pretendosh se je neutral”.
Nuk dihet kur është xhiruar kjo video.
Agjencia e lajmeve Ekonomia Online kërkoi përgjigje nga qeveria e Kosovës, por zëdhënësi i saj Përparim Kryeziu nuk i është përgjigjur thirrjeve teklefonike deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dy komedianët rusë njihen për mashtrime. Ata përmes thirrjeve telefonike të njerëzve me ndikim. kanë mashtruar më herët edhe Hillary Clintonin, Boris Johnsonin dhe Kamala Harrisin.