Hektor Beqiri: Nesër Pemishtja e Drenicës nderon dëshmorët Ajet Beqiri, Mustafë Qorri dhe Shukri Qorri

Edhe këtë vit, si çdo vit tjetër, Pemishtja e Drenicës do të nderojë dëshmorët e saj, Ajet Beqiri, Mustafë Qorri dhe Shukri Qorri. Banorët e fshatit dhe djemtë e Pikës Qarri nesër do të mblidhen për të kujtuar trimërinë dhe sakrificën e këtyre heronjve të luftës.
Lajmin e ka bërë të ditur atdhetari i shquar dhe ish-bashkëpunëtori i presidentit Hashim Thaçi, Hektor Beqiri, i cili, përmes një mesazhi, ka shprehur përkushtimin e tij ndaj kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Drenicën.
“Atë që kanë bërë Ajeti, Mustafa dhe Shukriu, nuk e bën kush tjetër veç luftëtarëve të lirisë. Ata ishin të guximshëm, të vendosur dhe të kompletuar si luftëtarë të vërtetë. Nesër, për fat të keq, unë jam në Hagë dhe e kam të pamundur pjesëmarrjen, por me zemër jam gjithmonë në çdo organizim dhe me çdo familje të Pemishtes,” ka thënë Beqiri.
Ai ka theksuar se ata që sakrifikuan për lirinë e popullit janë përjetësisht të nderuar dhe kujtimi për ta do të mbetet i gjallë përherë.
Ceremonia për nder të dëshmorëve do të mbahet nesër në Pemishten e Drenicës, ku do të marrin pjesë familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë që e vlerësojnë sakrificën e tyre për atdheun.