“Shqipe, unë jam nga Drenica”/ Polici gjerman ndalon gazetarin nga Kosova duke vozitur me RKS

Gazetari Shkelzen Dakaj ka ndarë përvojat e tij nga vizitat në kompanitë e diasporës shqiptare në Gjermani, duke vlerësuar përkushtimin dhe suksesin e tyre në fusha të ndryshme. Ai thekson se shumica e bashkatdhetarëve janë punëtorë të mëdhenj, të cilët me mund e sakrificë kanë ndërtuar biznese të suksesshme dhe kanë krijuar një jetë të dinjitetshme për veten dhe familjet e tyre.
Sipas Dakajt, shqiptarët në Gjermani janë shembull për kulturë, integrim dhe patriotizëm. Ata e duan Kosovën, e ruajnë identitetin dhe traditat shqiptare, ndërsa një gjeneratë e re po rritet me vlera të forta dhe sukses në profesione të ndryshme, transmeton portali DrenicaOnline.
Një moment emocionues gjatë udhëtimit të tij ishte takimi me një polic shqiptar në Gjermani, i cili e ndali vetëm për ta përshëndetur kur pa tabelat RKS. “Shqipe, unë jam nga Drenica,” – i kishte thënë polici Valon Kajtazaj, duke treguar edhe një herë lidhjen e fortë mes shqiptarëve, pavarësisht distancës.
Dakaj thekson se për fat të keq, diaspora shpesh paragjykohet në Kosovë, për shkak të disa rasteve të izoluara, por realiteti është krejt ndryshe. Ai e përmbyll mesazhin e tij me fjalët: “Shumica e tyre janë të heshtur, të ndershëm, punëtorë dhe të suksesshëm. Jetojnë me dinjitet dhe janë pasqyra më e mirë që kemi jashtë atdheut. Janë krenaria jonë.”/DrenicaOnline/