Rastet që trazuan rajonin e Mitrovicës: Një i vrarë nga bashkëmoshatari në Vushtrri – detaje edhe nga plagosja

Dy ngjarje të rënda trazuan rajonin e Mitrovicës, mbrëmjen e së dielës – një vrasje  në Vushtrri dhe një plagosje në Mitrovicë (që s’kanë ndërlidhje si raste). Këto dy incidente u shënuan pak pas orës 20:00, ku një i ri mbet i vdekur në qytetin e Vushtrrisë, ndërsa një person u ther me thikë dhe përfundoi i plagosur në Mitrovicë, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti i Vushtrrisë tronditi vendin

Një djalosh rreth 19-vjeçar, Ardit Zymeri, për motive akoma të panjohura, u privua nga jeta nga një bashkëmoshatar i tij, Bleon Dibrani, në rrugën “Galip Badivuku “ në Vushtrri.

Të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan aktivizuan Policinë për t’u vënë në lëvizje, por në atë rrugë gjetën trupin e pajetë të viktimës, të shtrirë në trotuar.

Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se viktima ishte pa shenja jete.

Në atë pjesë, fillimisht nuk u gjet asnjë gjurmë e të dyshuarit Dibrani, i cili tentoi të shpëtojë duke u arratisur  – por nuk shoi gjatë dhe Policia arriti ta lokalizojë vendndodhjen e tij.

Si prova materiale u konfiskua arma që dyshohet të jetë përdorur në rasti, një armë e gjatë që iu gjet në shtëpi të dyshuarit, si dhe disa gëzhoja.

Rasti u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.

“Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri (3)gëzhoja.

Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale.

Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek.

Me aktvendin të porokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë.”

Plagosja në Mitrovicë

Brenda pak minutash nga rasti në Vushtrri, u shënua edhe therja me thikë në Mitrovicë. Në një përleshje ku u ëprfshinë dy palë, emra të njohur ëpr organet e rendit, mbeti i plagosur një 66-vjeçar.

Siç raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali, Jeton Salihu, u sulmua me thikë nga i dyshuri Llukman Tullumqe, në rrugën “Evlia Qelebia”.

Autori i dyshuar për therjen pas sulmit është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa Policia tashmë është në kërkim të tij.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë dhe është bërë e ditur po punohet për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të lokalizuar të dyshuarin.

Anëtarët e këtyre dy familjeve kanë qenë në konflikt edhe në disa raste të tjera, për çka Sinjali raportoi mbrëmë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë