Betim Gjoshi: Haxhi Thaçi u nda nga jeta me dy mërzi të mëdha në zemër

Drenica sot është në zi pas ndarjes nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi. Lajmin e ka bërë të ditur Betim Gjoshi, sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka ndarë një mesazh prekës për jetën dhe luftën e fundit të Bacës Haxhi.
“Jetoi në lëngatë e luftoi me vdekjen edhe një ditë më shumë, jo për vete, por për të parë edhe një herë djalin e tij, për ta përqafuar fort, si dikur, para se t’ia falte jetën Kosovës,” shkruan Gjoshi.
Sipas tij, Haxhi Thaçi u nda nga kjo botë me dy brenga të mëdha: çfarë po ndodh me Kosovën dhe çfarë po ndodh me Hashimin dhe bashkëluftëtarët e tij. Megjithatë, ai shkoi krenar për të birin, njeriun që udhëhoqi një epokë dhe bëri histori.
“Veç pak ditë para pranverës, u shua burri i Drenicës, babai i njeriut që pa në sy lirinë e Kosovës dhe përqafoi të birin, i cili po zhvillon betejën e fundit për Kosovën – një betejë që do ta fitojë!” përfundon Gjoshi.
Ngushëllime familjes Thaçi, farefisit, miqve dhe të gjithë atyre që ndanë rrugëtimin me të. Lamtumirë, Haxhi Thaçi!