Një i vdekur dhe shtatë të lënduar nga një aksident trafiku në fshatin Galicë

Një aksident trafiku me pasojë fataliteti ka ndodhur sot rreth orës 08:00 në fshatin Galicë të Vushtrrisë. Sipas raportimeve nga Policia e Kosovës, në aksident është përfshirë një veturë, e cila ka dalë nga rruga për shkak të pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, shoferi i automjetit, H. S., 59 vjeçar, ka ndërruar jetë rreth orës 11:00 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Po ashtu, shtatë pasagjerë të tjerë që ndodheshin në veturë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore me urdhër të prokurorit. Hetimet për rastin po vazhdojnë nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.