Ragip Xhaka nuk u zgjodh deputet, por falënderon qytetarët për mbështetjen

Ragip Xhaka, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, ku siguroi 17,911 vota, por nuk arriti të bëhet deputet, transmeton portali DrenicaOnline.
Në një mesazh falënderues, Xhaka theksoi se ky rezultat është tregues i vlerësimit për punën dhe angazhimin e tij për të mirën e Kosovës. Ai ka falënderuar strukturat e PDK-së, simpatizantët dhe mërgatën për përkrahjen e palëkundur, duke veçuar edhe ekipin zgjedhor që kontribuoi në arritjen e këtij rezultati.
Një falënderim i veçantë nga Xhaka shkoi për familjen e tij, përfshirë dy djemtë, Granitin dhe Taulantin, të cilët e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi sfidues dhe motivues.
“Urimet e mia shkojnë për deputetët që do të përfaqësojnë PDK-në në Kuvend. Kam besim se ata do të jenë të përgjegjshëm ndaj votuesve dhe do të jenë adresa e parë për brengat dhe shqetësimet e qytetarëve,” tha Xhaka.
Ai u shpreh i vendosur se puna për një Kosovë më të mirë do të vazhdojë, duke falënderuar edhe një herë të gjithë ata që e mbështetën në këtë proces./DrenicaOnline/