Drenasi shpallet kampion për herë të gjashtë, përfiton mbi 1.2 milionë euro nga granti i performancës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka nënshkruar sot me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Marrëveshjen për implementimin e projekteve të përfituara nga granti i performancës komunale për vitin 2023.
Falë këtij granti, buxheti i komunës do të rritet me 1,263,557.36 euro, të cilat do të destinohen për projekte kapitale, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, transmeton portali DrenicaOnline.
Lladrovci theksoi se ky është suksesi i gjashtë radhazi i Komunës së Drenasit, e cila vazhdon të shpallet kampione për performancë të shkëlqyer në qeverisjen lokale. Ai falënderoi donatorët ndërkombëtarë, përfshirë Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ambasadën e Suedisë, Fondet e Bashkimit Evropian dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Një mirënjohje e veçantë iu adresua edhe qytetarëve të komunës, zyrtarëve komunalë dhe shefit të Ekipit të Performancës, Afrim Prokshi, për kontributin e tyre në këtë sukses.
“I lumtur që puna jonë vlerësohet dhe qytetarët tanë përfitojnë. Urime dhe përgëzime për qytetarët e Drenasit – vendi i parë dhe performancë e shkëlqyer! Vazhdojmë!”, deklaroi kryetari Lladrovci.
Drenasi vazhdon të jetë një ndër komunat më transparente dhe të suksesshme në Kosovë, duke tërhequr investime të rëndësishme për zhvillimin e saj./DrenicaOnline/