Medica Gjakova dhe IHDNJ vazhdojnë me mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Dhunimet seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë përfaqësojnë një nga aspektet më të dhimbshme dhe të ndjeshme të historisë së vendit. Rreth 20,000 gra dhe burra u ekspozuan ndaj këtyre akteve çnjerëzore, duke përjetuar pasoja të thella psikologjike, fizike dhe sociale.
Organizata të shoqërisë civile, si “Medica Gjakova,” kanë luajtur një rol kyç në mbështetjen e të mbijetuarve. Bashkëpunimi me Institutin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (IHDNJ) dhe partnerë të tjerë ka mundësuar sigurimin e mbështetjes psiko-sociale, ligjore, shëndetësore dhe përkrahje sociale për individët e prekur.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, sfidat vazhdojnë të jenë të shumta:
• Stigma shoqërore e thellë bënë që të mbijetuarit të hezitojnë të ndajnë përvojat nga frika e paragjykimit dhe përjashtimit duke penguar procesin e shërimit dhe thelluar izolimin e tyre. Kjo heshtje e imponuar jo vetëm që ndikon në mirëqenjen e tyre, por kufizon mundësitë për integrimin në shoqëri. Mirëpo nje numër i të mbijetuarëve besojnë se pranimi shoqëror është përmirësuar me kalimin e kohës. E kjo është arritur duke vu në pah rolin e OJQ-ve si Medica Gjakova. Mediat gjithashtu kanë luajtur rol në rritjen e pranimit shoqëror.
• Mbështetja institucionale: Procesi i njohjes dhe verifikimit për të marr statusin e personit të mbijetuarit të dhunës seksuale që ndërlidhet me konfliktin ka qenë i ngadaltë dhe i ndërlikuar. Pavarësisht krijimit të Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë konfliktit në vitin 2018, aplikimet për njohje dhe mbështetje financiare kanë hasur në pengesa të shumta burokratike. Disa nga të mbijetuarit e konsideruan procesin e aplikimit si frikësues, të dhimbshëm madje edhe ritraumatizues.
Afati i kufizuar për aplikim është edhe një pengesë shumë e madhe. Pasi shumë të mbijetuar përshkak të rrethanave në familje deri sot nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë dhe të realizojnë të drejtën e tyre.
• Pasojat afatgjata dhe ekonomike: Pasojat afatgjata dhe ekonomike të përjetuara nga të mbijetuarit e dhunës seksuale janë shumëdimensionale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre. Mungesa e mekanizmave të qarta institucionale dhe mbështetjes së vazhdueshme ka lënë shumë individë të pambrojtur përballë sfidave që lidhen me punësimin dhe mirëqenien. Përballja me trauma të pashëruara dhe stigmatizimin shoqëror jo vetëm që e vështirëson përfshirjen e tyre në tregun e punës, por edhe çon në ulje të produktivitetit individual. Si rezultat, të mbijetuarit shpesh përballen me vështirësi të thella ekonomike, duke krijuar një rreth vicioz që pengon rimëkëmbjen dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri.

Hapat e Marrë:
“Medica Gjakova” dhe IHDNJ vazhdojnë përpjekjet për të adresuar sfidat që lidhen me dhunën seksuale në kontekstin e konfliktit. Në bashkëpunim me partnerët dhe donatorët, këto organizata kanë realizuar studime të thelluara mbi pasojat afatgjata të kësaj dhune dhe kanë zhvilluar strategji për:
– Zgjerimin, standardizimin dhe specializimin e shërbimeve për të mbijetuarit.
– Mbështetjen për rimëkëmbjen afatgjatë për të mbijetuarit.
– Promovimin e ndryshimit të normave shoqërore që vazhdojnë pabarazinë dhe stigmatizimin.
– Krijimin e një mjedisi fuqizues dhe gjithëpërfshirës për të mbijetuarit.
– Adresimin dhe reduktimin e stigmës që vazhdon të ekzistojë në shoqëri.

Thirrje për Veprim: Medica Gjakova dhe IHDNJ u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile, mediave , donatorëve , qytetarëve të vendit që:
1. Të tejkalojnë stigmatizimin. Institucionet t’i forcojnë shërbimet mbështëtëse për të mbijetuarit e dhunës seksuale që lidhen me konfliktin.
2. Të forcojnë mekanizmat ligjorë dhe të përmirsojnë qasjen në reperacione administrative për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë konfliktit.
3. Të krijohen programe të dedikuara për fuqizimin ekonomik dhe mbështetje institucionale, përfshirë trajnime profesionale, subvencione për punësim dhe rehabilitim psikologjik.

Përkrahja dhe ndihma për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale që ndërlidhet me konfliktin, pa dallim, është detyrë morale dhe shoqërore e cila kërkon empati dhe solidaritet. Vetëm së bashku mund të sigurojmë që të mbijetuarit të jetojnë me dinjitet, drejtësi dhe respekt në një shoqëri që i vlerëson dhe i përfshin ata plotësisht.
Aktivitetet e lartëpërmendura janë bërë të mundura me asistencën e projektit rajonal Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Për më shumë informacione, ju lutemi kontaktoni:
Medica Gjakova
+381 0390 326 812
medicagjakova@gmail.com

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë