Ragip Xhaka pret votat e diasporës për t’u bërë deputet

Kandidati për deputet nga PDK, Ragip Xhaka, i cili gjatë fushatës nuk ishte shumë i pranishëm në media, tani beson se votat nga diaspora dhe ato me kusht do ta çojnë në Kuvendin e Kosovës, transmston DrenicaOnline.
Në një reagim publik, ai ka falënderuar mbështetësit e tij për rreth 15 mijë votat e fituara deri tani, duke shprehur bindjen se rezultati përfundimtar do ta bëjë atë pjesë të legjislativit.
“Me 96% të votave të numëruara, gati 15 mijë qytetarë më kanë dhënë besimin e tyre. Votat që presim të numërohen, duke përfshirë ato me kusht dhe nga diaspora, më bëjnë të besoj fuqishëm se do të jem pjesë e Kuvendit të Kosovës,” ka deklaruar Xhaka.
Ai ka theksuar se është i gatshëm të përfaqësojë qytetarët dhe të punojë për një të ardhme më të mirë për Kosovën. “Besimi juaj më jep energji dhe motivim për të punuar pa ndalur. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për një Kosovë më të mirë, për çdo qytetar,” ka shtuar ai.
Xhaka ka përfunduar mesazhin e tij duke premtuar se zëri i tij në Kuvend do të jetë zëri i qytetarëve të Kosovës./DrenicaOnline/