Ardian Kastrati akuzon Memli Krasniqin për bllokim të votave: “I prisha matematikat për koalicion me Kurtin”

Ish-deputeti dhe kandidati i PDK-së për Kuvendin e Kosovës, Ardian Kastrati, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, ku ai më gjasë nuk arriti të sigurojë një mandat.

Në një postim në rrjetet sociale, Kastrati ka akuzuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, duke thënë se ai dhe strukturat e tij brenda partisë kanë ndikuar në bllokimin e votave për të.

Sipas Kastratit, arsyeja kryesore e këtij veprimi është kundërshtimi i tij ndaj një koalicioni të mundshëm mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Ai pretendon se pas takimit të Memli Krasniqit me Albin Kurtin, ai e kishte paralajmëruar se nëse një marrëveshje e tillë do të ndodhte, ai do ta kundërshtonte fuqishëm.

“Qëllimin e kam arritur. Ky Memli nuk guxon të bëj më koalicion me Kurtin. Për këtë jam shumë krenar. Ata që më njohin e dinë që unë ashtu-kështu nuk e kam dashur mandatin e dytë, të kotë,” ka shkruar Kastrati.

Ai gjithashtu ka deklaruar se PDK pa Bedri Hamzën ka rënë në rezultat dhe se Memli Krasniqi është kryetari më i dobët që partia mund të ketë.

Pas këtyre akuzave të forta, mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë reagim nga lidershipi i PDK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë