Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve babë e bir për vrasjen në Skenderaj
![](https://drenicaonline.com/wp-content/uploads/2025/02/11-750x430.jpg)
Një rast i rëndë ka tronditur të mërkurën qytetin e Skenderajt, ku një person u ekzekutua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Viktima Ismet Ibishi mbeti i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë arrestuar edhe dy persona të dyshuar në lidhje me rastin, të cilët janë babë e bir mes vete, raporton Sinjali.
Sinjali ka raportuar se njëri nga të dyshuarit është 61-vjeçari Hisni Ibishi, bashkë me djalin e tij Bujar Ibishi.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, të cilët dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit H.I., dhe B.I., pasi ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 e lidhur me nenin 31, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftim.
Tutje në njoftimin e Prokurorisë thuhet se të dyshuarit me dashje e kanë privuar nga jeta viktimën Ismet Ibishi.
“Me datë 12 shkurt 2025 në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtijnë në drejtim të ndjerit I.I, dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin”, shkruhet në njoftim.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.