Isak Neziri falënderon votuesit: PDK mbetet e lidhur përjetësisht me shtetndërtimin e Kosovës
![](https://drenicaonline.com/wp-content/uploads/2025/02/InCollage_20250210_192417000-750x430.jpg)
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Isak Neziri, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve që mbështetën këtë subjekt politik në zgjedhjet e mbajtura dje. Ai tha se është falënderues për emocionet dhe besimin e jashtëzakonshëm që votuesit treguan për Partinë Demokratike të Kosovës.
“Unë u ktheva në Kosovë për t’iu bashkuar PDK-së në këto zgjedhje si kandidat për deputet, duke besuar në lidershipin e kryetarit tonë Memli Krasniqi dhe kandidatit për kryeministër Bedri Hamza,” u shpreh Neziri.
Ai theksoi se gjatë gjithë fushatës fokusi ka qenë te projektet konkrete dhe angazhimi për një Kosovë më të mirë. “Emri i PDK-së është i lidhur përjetësisht me shtetndërtimin e Kosovës, dhe rezultati e tregoi që kështu do të mbetet përjetë,” shtoi ai.
Neziri shprehu optimizëm për të ardhmen e vendit, duke besuar se Kosovën e presin ditë më të mira, falë njerëzve të përkushtuar që do të angazhohen për të forcuar raportet ndërkombëtare, investimet, rininë dhe dinjitetin e vendit.
Ndërkohë që ende nuk janë numëruar të gjitha votat për deputetë, ai tha se është i lumtur që Kuvendi do të ketë kuadro të jashtëzakonshëm nga radhët e PDK-së, të cilët do të punojnë për të mirën e vendit.