Bedri Hamza: Do të punojmë që t’ju japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica shqiptare

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhjet e djeshme, duke vlerësuar se ato u zhvilluan në një frymë të rregullt dhe demokratike.

“Sjellja e qytetarëve ishte shembullore. I falënderoj të gjitha partitë politike që garuan dhe i uroj për rezultatet e tyre. Një mirënjohje e veçantë shkon për ekipin tim, strukturat e PDK-së dhe të gjithë aktivistët tanë që punuan për këtë rezultat,” deklaroi Hamza.

Duke analizuar rezultatet, Hamza theksoi se vota e qytetarëve e ka ndryshuar rrjedhën politike në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar në të kaluarën, tashmë ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën kryesisht tek ne në PDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti këto zgjedhje si një referendum për veten dhe qeverinë e tij. Por, qëllimi i tij nuk u arrit. Ai i kërkoi 500 mijë vota. Por, nuk i mori. Nuk ia dhanë qytetarët. Sot, shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan, nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Qytetarët me vullnetin e tyre politik i kanë besuar opozitës, prandaj në këto zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare. Kjo më obligon mua dhe PDK si partia më e madhe opozitare që të  sillemi në mënyrë të përgjegjshme për ta respektuar vullnetin e shumicës shqiptare për ndryshim” ka thënë Hamza.

Hamza u shpreh se qytetarët e kanë fuqizuar opozitën, duke dëshmuar se duan ndryshim.

“Si partia më e madhe opozitare, PDK do të sillet me përgjegjësi për të respektuar vullnetin e shumicës shqiptare për ndryshim. Ne nuk do të hyjmë në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi dallime të mëdha. Ata duan pushtet absolut, nuk kanë program dhe nuk u ballafaquan gjatë fushatës. Ata i ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkimin dhe bashkëpunimin” tha Hamza.

Duke folur për krijimin e qeverisë së ardhshme, ai theksoi se procedurat janë të qarta dhe se PDK do të ndjekë rrugën kushtetuese për realizimin e vullnetit qytetar.

“Partisë së parë i takon ta provojë krijimin e institucioneve. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta formojë qeverinë e re. Ne do të punojmë që qytetarëve të ju japim qeverinë për të cilën ata kanë votuar, duke e mbajtur premtimin tonë për ta bërë Kosovën më të mirë”, përfundoi ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë