Vlora Çitaku shpërthen pas dënimit të VV-së për gjestin me tre gishta në Drenicë: “Provokim, përbuzje dhe urrejtje!”
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas vendimit të PZAP-it për të dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 35 mijë euro për ngritjen e tre gishtave në Drenicë, një gjest që simbolizon ekskluzivisht regjimin serb.
“Në Drenicë me tre gishta?! E pashë Zotin, çka saktësisht keni dashur t’u thoni drenicasve?!” – ka shkruar Çitaku, duke e cilësuar këtë akt si një provokim të rëndë.
Ajo ka theksuar se ky veprim nuk është thjesht një provokim politik, por një përbuzje dhe urrejtje e hapur ndaj një zone që ka përjetuar masakrat dhe krimet më të rënda gjatë luftës.
“Ky akt i shëmtuar nuk është vetëm provokim. Është përbuzje. Urrejtje. Patologji. Vend i vogël jemi për ta përtypur gjithë këtë vrer e helm. Marre!” – ka përfunduar ajo.
Ky dënim dhe reagimet që ka nxitur, pritet të ndikojnë më tej në dinamikën politike të fushatës zgjedhore në Kosovë.