Lladrovci ngushëllon familjen Mulaku nga Komorani, me rastin e ndarjes nga jeta të nënës heroinë, Sofie Mulaku
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ngushëlluar familjen Mulaku për humbjen e nënës së tyre, Sofie Mulaku. Në mesazhin e tij, ai ka theksuar sakrificën dhe qëndresën e saj, si dhe kontributin e familjes Mulaku në luftën për lirinë e Kosovës. Ai shprehu mirënjohje për rolin e kësaj familjeje në përballimin e sfidave të kohës së luftës dhe ruajtjen e vlerave kombëtare.
E nderuara familje Mulaku,
Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të nënës, Sofie Mulaku, Nënës Heroinë, e cila mbajti mbi supe plagët e luftës dhe dhimbjen e madhe të humbjes së vajzës së saj, Rabishes. Nëpërmjet sakrificës dhe qëndresës së saj, ajo u bë simbol i fuqisë së nënave shqiptare, të cilat me dinjitet dhe kurajë përballuan sprovat më të rënda për lirinë e Kosovës.
Si nënë e Ragip Mulakut, një veprimtari të palodhur për çlirimin e Kosovës dhe një komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sofija ishte pjesë e një familjeje që dha gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Kujtimi dhe veprimtaria e saj do të mbeten përherë në historinë dhe ndërgjegjen tonë kombëtare.
Në emrin tim dhe të Komunës së Drenasit, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njohin dhe ta vlerësojnë nënën Sofie Mulaku.
U prehtë në paqe dhe kujtimi i saj qoftë i përjetshëm!
Zoti e mëshiroftë!