Aksidenti tragjik afër Skenderajt, krejt çka dihet deri më tani
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodh mbrëmë në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel. Si pasojë e tij tre persona kanë mbetur të vdekur dhe pesë persona të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë.
Të vdekur nga ky aksident, kanë mbetur tre anëtarë të familjes Gashi: Zarife Gashi, rreth 70 vjeçare, Agim Gashi, rreth 50 vjeçar dhe Gyltene Gashi, rreth 48 vjeçare.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se në aksidentin e djeshëm të orës 18:40 janë përfshirë dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë.
Policia ka njoftuar se “si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë”.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, konfirmon se tre anëtarët e familjes Gashi që vdiqën në aksidentin në Çubrel të Skenderajt, janë nga Peja.
Muhaxheri tha se “kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne”.
Ai shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi dhe të afërmit e tyre.
Postimi i tij i plotë:
Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për aksidentin e rëndë që ndodhi në Çubrel të Skenderajt, ku humbën jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja. Kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne.
Në këto çaste të vështira, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, të afërmve dhe miqve të tyre.
Peja dhe gjithë qytetarët e saj janë pranë jush në këto momente të rënda.