Lladrovci takon Salih Salihun 97 vjeçar, baba i dëshmorit, i cili strehoi heronj të kombit dhe ka kujtime krenare për ta

Me rastin e vizitës te prindi i dëshmorit, te Salih Salihu në Ticë të Skenderajt, Ramiz Lladrovci ka përshkruar emocionet me njeriun që kishte strehuar çlirimtarët gjatë luftës, në mesin e tyre kishte ofruar konak për pesë javë për heroin e heroinën, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Trashëgimia atdhetare e bartur nga brezi në brez, është mësim i shkëlqyer historie. Baca Salih Salihu nga Tica e Skenderajt, 97 vjeçar, është enciklopedi e tregimit për krenarinë, dhimbjen dhe vuajtjen e kësaj ane për një shekull. Saktësia e rrëfimit për ngjarjet e së shkuarës dhe mbamendja e tij, janë të jashtëzakonshme.
Tregimet e tij për detajet e ngjarjeve në veçanti për historinë tonë të re, posaçërisht tregimet për heronjtë tanë, për Fehën e Xhevën, Mujën dhe çlirimtarët tjerë, janë me vlerë të madhe.
Vizita te Baca Salih, ishte e lidhur me gjendjen e tij, të rënduar nga mosha, për vlerën e ngjarjeve të përjetuara, të tregimeve të historisë së familjes dhe kujtimet nga lufta jonë çlirimtare.
Familja e Bacës Salih, ishte e përfshirë në çdo luftë për liri, ndërsa në luftën e UÇK-së, një djalë, Idrizi, ra dëshmorë, por, vuajtjet e tij nga terrori serb, janë të papërshkrueshme. Tortura ndaj tij, edhe pse në atë kohë ishte 70 vjeçar, janë dëshmi e egërsisë së okupatorit serb.
Ai është babë i dëshmorit Idriz Salihu, shtëpi që me gjenerata ofroi strehim, bukë e luftëtarë për rezistencë kundër okupatorit shekullor. Shtëpia e Bacës Salih, për tri gjenerata dha luftëtarë, për tri gjenerata, i patën shtëpitë e djegura, dhe asnjë herë nuk u ndalën.
Tregimet e tij, plotë emocione zhvillohen për luftëtarët që i priti e përcolli. Ndër kujtimet e tij më të dashura, është koha kur këtu qëndronte heroi e heroina, Fehmi e Xhevë Lladrovci, për pesë javë. Kur fillon të rrëfejë për ta, merr frymë thellë dhe thotë “Fehmi e Xhevë nuk lind nana ma”.
Në këto tregime, më vërshojnë emocionet dhe kujtimet për ngjarjet që kishte përjetuar kjo anë, vatër e UÇK-së. Më përfshin malli për Fehën e Xhevën, nga kujtimet e Bacit Salih, duke i përshkruar ata i bën sikur të gjallë. Tregimet e tij, për ushtarët e UÇK-së, janë tregime krenare, tregime për heronj të cilët jepnin gjithçka për lirinë e Kosovës.
Tregimet e Bacës Salih për Fehën, për Xhevën dhe raportet e tyre me këtë familje fisnike, janë shumë të çmuara, me vlerë dhe të paharrueshme. Ai rrëfen për përgatitjet për sulme ndaj pikave ushtarake serbe, nismat e Fehës e Xhevës me bashkëluftëtarë në betejat që i bënin, për rrethanat kur ktheheshin nga beteja, për raportet e tyre njerëzore me bashkëluftëtarët.
Tregimet e Bacës Salih janë thesar për secilin që i dëgjon, janë thesar për gjeneratat se si ishin dalëzotësit e atdheut, se si bëhej lufta çlirimtare dhe cili ishte morali i tyre luftarak. Të veçanta ishin tregimet për Xhevën dhe raportet e saj me gratë e shtëpisë së Bacës Salih.
Faleminderit për mikpritjen Baca Salih!
Familjet si kjo e Bacës Salih, janë krenari e kombit, për mikpritje, për bujari dhe atdhetarizëm!

Të paçim Baca Salih!

https://www.facebook.com/share/p/19zodXK4wL/?mibextid=wwXIfr

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë