Altin Krasniqi pi kafen e mëngjesit me Endrit Thaçin dhe Klestor Veselin: “E kaluara e lavdishme, frymëzim për një Kosovë më të mirë”
Altin Krasniqi, i biri i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, sot ka nisur ditën me një takim miqësor me Endrit Thaçin, djalin e presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestor Veselin, djalin e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Në këtë atmosferë të përzemërt, Krasniqi ka theksuar vlerat dhe sakrificat e prindërve të tyre, duke i konsideruar ato si frymëzim për angazhimin e brezit të ri në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën.
Ai ka deklaruar:
“E kaluara e lavdishme e prindërve tanë, lavdia dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sfidat aktuale të përbashkëta, synimet për një të ardhme më të mirë, por edhe obligimi i brezave për të vazhduar ruajtjen dhe avancimin e atyre vlerave, janë burim frymëzimi e angazhimi bashkërisht për një Kosovë ma mirë”.
Takimi i sotëm shpreh unitetin dhe angazhimin e brezave të rinj të familjeve që kanë pasur një rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës, duke mbajtur gjallë frymën e bashkëpunimit dhe përkushtimit për të ardhmen e vendit.
Altin Krasniqi po vazhdon fushatën e tij si pjesë e ekipit të PDK-së, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për ruajtjen e vlerave kombëtare dhe për progresin e Kosovës.