Besim Mulaj reagon për vizitën e Kryeministrit Kurti në Orroberdë dhe familjen Muzliaj
Kandidati për deputet nga LDK, Besim Mulaj, ka reaguar për vizitën e Kryeministrit Albin Kurti në Orroberdë dhe familjen e dëshmorit Nazmi Muzliaj. Në një shkrim publik, Mulaj ka vlerësuar gjestin e vizitës, por ka bërë thirrje për përfaqësim më të saktë të jetës dhe veprës së figurave si Nazmi Muzliaj, duke theksuar rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe kulturën kombëtare.
Reagimi i plotë i Besim Mulajt:
“I nderuar Kryeministër Kurti,
Vizita juaj në Orroberdë dhe në familjen e dëshmorit Nazmi Muzliaj është një akt që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë. Ky gjest pasqyron rëndësinë që i jepni historisë dhe sakrificave të atyre që na sollën lirinë. Por njëkohësisht, kjo vizitë na bën thirrje për një përgjegjësi të madhe: për të kujtuar dhe përfaqësuar me saktësi jetën dhe veprën e këtyre figurave të mëdha.
Nazmi Muzliaj nuk ishte thjesht një figurë lokale apo një emër nga Orroberda, siç u përshkrua nga ju. Ai ishte një intelektual dhe veprimtar kombëtar i përmasave të mëdha. Si një nga të ngarkuarit e LDK-së për furnizimin e zonave të luftës me ushqime dhe ndihma, Nazmiu luajti një rol thelbësor gjatë kohëve më të vështira të historisë sonë, duke dëshmuar përkushtim dhe guxim të pashoq.
Veprimtaria e tij shtrihej përtej kufijve të Orroberdës. Ai ishte themeluesi i Teatrit Komunal në Istog, një kontribues kryesor dhe themelues i gazetës ‘Kronika,’ si dhe një organizator i palodhur i ndihmave për ata që ishin në vijën e parë të luftës. Përmes këtyre aktiviteteve, ai mishëronte idealin e një njeriu që vuri interesat kombëtare mbi gjithçka tjetër. Figura e tij është një shembull frymëzues për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Me këtë rast, ju ftoj që në të ardhmen të tregojmë më shumë kujdes për të përfaqësuar plotësisht historinë dhe kontributin e veprimtarëve si Nazmi Muzliaj, duke e njohur në tërësi madhështinë e tyre. Kujtesa jonë kombëtare duhet të ndërtohet mbi vepra të tilla, që frymëzojnë unitet dhe përkushtim për të mirën e përbashkët.
Për fund, më lejoni t’ju kujtoj me krenari se në Orroberdë, ashtu si në çdo shtëpi shqiptare, ‘shtëpia është e Zotit dhe e mikut.’
Me respekt,
Një bashkveprimtar dhe krenar i Orroberdës
Sikur ti kishe pyetur miqtë tu të vjetër (Shefqet Gjocaj, Muhamet Mavraj dhe Ismet Mulaj) që ishin edhe miq të Nazmiut, ndryshe do të shkruanit.”