Shahin Dervishaj: 26 vite nga Masakra e Reçakut, gjenocidi serb që ktheu sytë e botës nga Kosova
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shahin Dervishaj, ka përkujtuar Masakrën e Reçakut, duke theksuar se kjo ngjarje tragjike tronditi botën dhe bëri që ndërgjegjja ndërkombëtare të reagonte ndaj gjenocidit serb në Kosovë.
Dervishaj kujtoi momentet e tmerrshme të 15 janarit 1999, duke përshkruar dhimbjen dhe sakrificën e banorëve të Reçakut.
“Atë ditë të tmerrshme, Reçaku u mbush me dhimbje. Nuk harrohen pamjet e nënave që mbanin fëmijët e tyre në krahë për t’i shpëtuar, nuk harrohet dhe as nuk shërohet kurrë dhimbja e atyre fëmijëve që panë prindërit e tyre duke u vrarë e që nuk mund të bënin asgjë”, tha ai.
Sipas Dervishajt, Masakra e Reçakut është një kujtesë e përhershme se liria e Kosovës nuk erdhi pa sakrifica dhe se çdo vit, kjo datë na rikujton dhimbjen dhe forcën e një populli të pamposhtur.
“Ne nuk duhet të harrojmë që liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi dhimbjen dhe sakrificën e tyre”, përfundoi ai.