Lulzim Nika: Masakra e Reçakut, një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe vendimtare në historinë e Kosovës
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lulzim Nika, ka kujtuar Masakrën e Reçakut si një nga momentet më tragjike dhe vendimtare në historinë e Kosovës, duke theksuar se ky akt i rëndë i krimit kundër njerëzimit tronditi ndërgjegjen botërore dhe përshpejtoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999.
Nika theksoi se dëshmia e ambasadorit William Walker dhe ekspertëve ndërkombëtarë, si Helena Ranta, vërtetuan mizoritë e kryera nga forcat serbe, duke i dhënë më shumë legjitimitet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përpjekjeve për pavarësi.
“Ajo që ndodhi në Reçak nuk ishte vetëm një akt brutaliteti, por një simbol i sakrificës së shqiptarëve për liri. Masakra e 45 civilëve të pafajshëm tronditi ndërgjegjen e botës dhe përshpejtoi përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin që po kryhej në Kosovë,” u shpreh ai.
Sipas tij, Masakra e Reçakut mbetet një kujtesë e përhershme për vuajtjet dhe përpjekjet e popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Lavdi për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës”, përfundoi Nika.