“Drenasi, bastion i pathyeshëm – PDK drejt fitores së madhe!”
Kryetari i Komunës së Drenasit dhe shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së në këtë komunë, Ramiz Lladrovci, ka nisur fushatën zgjedhore nga Negoci, vendlindja e Jakup Krasniqit, duke dhënë një mesazh të fuqishëm për fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në prani të qytetarëve, simpatizantëve dhe kandidatëve për deputetë, Lladrovci theksoi se Drenasi mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së dhe i vlerave të UÇK-së. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mobilizohen për të siguruar një fitore bindëse, duke e cilësuar Bedri Hamzën si kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.
“Nga këtu po fillon orteku i fitores! Drenasi ka qenë, është dhe do të mbetet bastion i PDK-së. Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës dhe për qeverisjen që e meriton vendi ynë”, deklaroi Lladrovci.
Ai gjithashtu kërkoi unitet të plotë brenda strukturave të PDK-së, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për të gjithë kandidatët nga Drenasi dhe të partisë në tërësi.
“Fitorja jonë më 9 shkurt do të jetë e madhe, bindëse dhe e pandalshme! Askush nuk mund ta ndalë fitoren tonë!”, përfundoi ai, duke ftuar qytetarët të votojnë PDK-në dhe numrin 131 për, siç tha ai, “një Kosovë më të mirë dhe më të fortë!”