Fjalimi i fuqishëm i Aurora Berishës në Drenas: “Kosova ka nevojë për mobilizimin tuaj!”

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aurora Berisha, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm gjatë mbledhjes së shtabit zgjedhor të partisë në Drenas.

Ajo ka bërë thirrje për bashkim dhe mobilizim, duke kritikuar qeverinë aktuale për mungesën e projekteve dhe përkeqësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht në Drenicë, transmeton portali DrenicaOnline.

“Jam shumë e lumtur që po ju shoh të bashkuar dhe kaq të unifikuar! Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për unitet. Ky pushtet na ka bërë të pamundur jetesën, sidomos neve në Drenicë. Asnjë projekt, asnjë zhvillim, mungesë e energjisë elektrike dhe rritje e çmimeve”, u shpreh Berisha.

Ajo theksoi se situata e rëndë ekonomike dhe sociale e bën të domosdoshme një ndryshim politik dhe se PDK është forca që mund ta sjellë këtë ndryshim.

“Kosova ka nevojë për mobilizimin tuaj! Të gjithë bashkë duhet të punojmë për një Kosovë më të mirë! Mezi po pres që, ashtu si jemi sot të organizuar, të hapim fushatën më 11 janar dhe të tregojmë fuqinë tonë me Partinë Demokratike të Kosovës”, tha ajo mes duartrokitjeve të aktivistëve dhe strukturave të partisë.

PDK po përgatitet për fillimin zyrtar të fushatës, e cila pritet të jetë një nga më të organizuarat në këtë cikël zgjedhor./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë