Redon Lladrovci, talenti që po shkëlqen në shkencë dhe astronomi
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka takuar sot Redon Lladrovcin, një nxënës i klasës së 12-të me rezultate të shkëlqyera dhe pasion të veçantë për shkencat natyrore, veçanërisht fizikën nukleare dhe astronominë.
Redoni ka fituar vendin e parë në Kosovë në astronomi dhe ka marrë pjesë në aktivitete që promovojnë shkencën, duke ndarë njohuritë e tij brenda dhe jashtë vendit. Me një synim të qartë për të kontribuar në shkencë dhe për të zbuluar kura për sëmundje si kanceri, ai përfaqëson një shembull frymëzues për të rinjtë.
“Aspiratat e tij për t’u bërë fizikan nuklear pasqyrojnë përkushtimin dhe ambiciet e tij për shkencën në shërbim të njerëzimit,” tha Lladrovci, duke shprehur krenarinë e tij për talentin dhe përkushtimin e Redonit.
Me synimin për të ndjekur studimet në fizikë nukleare dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e sfidave globale, Redoni shpreson të bëhet pjesë e brezit të ri të shkencëtarëve që kontribuojnë në mirëqenien e njerëzimit dhe në zbulimet shkencore.
“Suksese Redon, krenar me arritjet dhe synimet tuaja!” përfundoi Lladrovci.