Aferdita Selimaj mbështet gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë
Piktorja dhe humanistja Aferdita Selimaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në tetor të vitit 2024, ajo organizoi një kurs dy-mujor të pikturës me temën ‘Arti Aborigjen’ në Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas. Ky trajnim, i realizuar krejtësisht në mënyrë vullnetare, kishte për qëllim fuqizimin dhe rehabilitimin e këtyre grave përmes artit.
Gjatë trajnimit, 12 anëtare të QPDG-së patën mundësinë të fitojnë njohuri artistike dhe të shprehin përmes pikturës përjetimet dhe sfidat e tyre. Përveç aftësive të reja, ky trajnim i ndihmoi ato edhe në procesin e forcimit dhe integrimit të tyre në shoqëri.
Si pjesë e përmbylljes së kursit, në ambientet e QPDG-Drenas u mbajt një ekspozitë me pikturat e realizuara nga këto gra, ku çdo vepër përfaqësonte një rrëfim unik mbi jetën, përballjet dhe sfidat e tyre ndër vite.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në mbështetjen e kësaj kategorie, mund të blejnë pikturat në QPDG-Drenas, duke ndihmuar kështu fuqizimin dhe pavarësimin e tyre.
Faleminderit Aferdita Selimaj për përkrahjen dhe angazhimin në këtë kauzë kaq të rëndësishme!