Mërgim Lushtaku reagon ndaj deklaratës “Fetë erdhën e shkuan” të Albin Kurtit
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se ‘feja ka qenë dhe mbetet një shtyllë e përhershme e identitetit shqiptar’.
Lushtaku tha se ndryshe nga ideologjitë, partitë dhe liderët që kanë ardhur dhe ikur, ‘Islami ka mbetur një pjesë e pandashme e kulturës dhe historisë së shqiptarëve’.
Ai shtoi se ideologjia e Kurtit do të jetë një “faqe e përkohshme në historinë tonë”, ndërsa feja do të vazhdojë të frymëzojë moralin, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë shoqërore.
Postimi i plotë i Lushtakut:
Reagim politik ndaj deklaratës
“Fetë erdhën e shkuan”
Është pikërisht e kundërta e asaj që pretendon Albin Kurti. Në historinë e kombit tonë, sistemet politike, ideologjitë, partitë dhe liderët kanë ardhur dhe ikur.
Por Islami, si pjesë e pandashme e identitetit dhe kulturës së shumicës dërmuese të shqiptarëve (93%), ka mbetur një shtyllë e përhershme që i ka mbijetuar çdo sfide.
Edhe Kurti dhe ideologjia që ai përfaqëson do të jenë një faqe e përkohshme në librin e historisë sonë, ndërsa Islami do të vazhdojë të mbetet i rrënjosur në zemrat e njerëzve, si frymëzim për moralin, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë.
Jam krenar që jam Shqiptar, krenar që jam Musliman, dhe krenar që jemi vëllezër me të krishterët, duke ndarë një tolerancë dhe respekt që shumë popuj e dëshirojnë. Ky është një virtyt që na bën unikë dhe na mban të bashkuar si komb!