Setki Ibraimi – Kandidat për mandatin e tretë si Asamblist në zgjedhjet e qytetit të Stockerau, në Austri, më 26 Janar 2025
SHEMBULLI I DIASPORËS SHQIPTARE
Setki Ibraimi është politikan i njohur shqiptar në Austri dhe një përfaqësues i shquar e vizionar i diasporës shqiptare. Ai ka paraqitur kandidaturën për një mandat të tretë në zgjedhjet e Qytetit Stockerau, të cilat do të mbahen më 26 janar 2025, si pjesë e Partisë Popullore ÖVP të Austrisë.
Gjatë karrierës së tij, ai ka kontribuar ndjeshëm në mbështetje të integrimit të të huajve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për emigrantët dhe komunitetet e tjera që jetojnë dhe veprojnë në qytetin ku Setkiu po e paraqet kandidaturën e tij për herën e tretë.
Setki Ibraimi mban titullin “Ambasador për Integrimin e të Huajve në Republikën e Austrisë”, duke përfaqësuar interesat e të huajve dhe punuar për mundësi më të mira integrimi në shoqërinë austriake. Ai është një mbështetës i vazhdueshëm i krijimit të një shoqërie të hapur, demokratike dhe të bashkuar, ku të gjithë qytetarët mund të kontribuojnë dhe të përfitojnë të drejtat e tyre.
Përveç angazhimeve politike, Setki Ibraimi është një diplomatë i njohur, i cili ka edhe titullin Akademik, i zgjedhur anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, një vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në diplomaci, politikë dhe kulturë. Po ashtu, ai mban titullin Ambasador i Paqes në Nju Jork, një rol që thekson angazhimin e tij për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjithashtu Setkiu është, kontribuuesi kryesor për regjistrimin dhe certifikimin e Shoqatës për letërsi shqiptare “Fan Noli” në Stockerau të Austrisë, njëherit është edhe Sekretar gjeneral i kësaj Shoqate.
Setki Ibraimi është një figurë kyçe që përfaqëson angazhimin për integrim dhe zhvillim në një shoqëri të hapur, demokratike dhe të bashkuar, duke u bërë një model për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e bashkëjetesës dhe përparimit të përbashkët…
Akademik Miftar Tërshnjaku