Sot i dhamë lamtumirën e fundit Selim Sefer Shabanit
Shkruan: Dr. Lulzim Nika
Në mesin e shumë veprimtarëve dhe atdhetarëve nga të gjitha trojet shqiptare, iu dha lamtumira e fundit veteranit të arsimit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Sefer Shabanit.
Një figurë e shquar që me jetën dhe veprimtarinë e tij ka lënë një trashëgimi të çmuar për atdhedashurinë dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.
Sot i dhamë lamtumirën e fundit një burri fisnik dhe atdhetar të devotshëm, i cili e kishte jetën të lidhur ngushtë me shërbimin ndaj çështjes kombëtare dhe lëvizjes për liri të Kosovës. Selimi, një mësimdhënës i përkushtuar dhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një simbol i sakrificës dhe idealizmit për një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar dhe Kosovën.
E kujtoj me nderim Selimin, i cili shquhej për sinqeritetin, besnikërinë dhe guximin e tij të pashoq. Ai ishte një njeri që mishëronte vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare. Edukata e tij e lartë ishte një trashëgimi e çmuar familjare, e rrënjosur dhe e brumosur me atdhedashuri, brez pas brezi. Nëpërmjet veprimeve dhe qëndrimeve të tij, Selimi e dëshmoi me dinjitet se ishte një shembull i vërtetë i përkushtimit ndaj kombit dhe njerëzve të tij, kur ju bashku UÇK së ne mbrojtje te Kosovës.
Familja e tij atdhetare kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës që nga koha tragjike e ndarjes së trojeve shqiptare. Atdhetarizmi i tij buronte nga një trashëgimi e pasur familjare, e cila kulmon me figurën e Sefer Mukushnicës , një hero i Kosovës, i njohur për veprimtarinë patriotike dhe besimin e tij në idealet e shenjta të Shqipërisë etnike. Kulla e kësaj familjeje, gjatë viteve 1944-45, ishte kthyer në një bazament të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës, duke i rezistuar ripushtimit sllavo-komunist.
Unë e kam njohur Selimin që nga vitet 1990 dhe kam pasur nderin të zhvilloj shumë takime me të si historian. Nga ai kam mësuar shumë për ngjarje të rëndësishme dhe për burra atdhetarë, të cilët u përballën me stuhitë e historisë në rrugën e drejtë të lirisë së Kosovës. Rrëfimet e tij ishin të mbushura me histori të dhimbshme, por njëkohësisht frymëzuese për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Selimi ishte mishërim i përkushtimit dhe sakrificës, një njeri që besonte thellë në ideale dhe që jetoi me dinjitet deri në fund. Kontributi i tij është një trashëgimi e vyer që do të mbetet gjithmonë në kujtesën kombëtare.
Prehu i qetë, miku im, në tokën e shenjtë arbërore. Kujtimi dhe vepra jote do të jenë një udhërrëfyese për brezat që vijnë.
Kujtimi për të do të jetojë përherë në zemrat tona., do të mbetet i paharruar.


