Altin Krasniqi: Mungesa e babait ndihet, por krenaria për të është e pafund
Në prag të Vitit të Ri 2025, kandidati për deputet nga PDK, Altin Krasniqi, ndau një mesazh prekës për festën familjare, e cila këtë vit është e mbushur me mall për babain e tij, Jakup Krasniqin.
“Tryeza jonë është e mbushur me dashuri, por jo e plotë. Babai im, gjyshi i Toskës dhe Odetës, feston ditëlindjen e tij larg nesh. Vajzat e vogla nuk e kuptojnë ende mungesën e gjyshit të tyre, por buzëqeshjet e tyre na kujtojnë sa shumë do ta kishin lumturuar sikur ai të ishte këtu me ne”, tha Krasniqi.
Ai theksoi krenarinë për sakrificat dhe guximin e babait të tij, duke premtuar se do të kujdeset që vajza dhe mbesa e tij të rriten duke njohur vlerat dhe dashurinë që Jakup Krasniqi ka dhuruar gjithmonë.
“Gëzuar Vitin e Ri dhe ditëlindjen, babë! Edhe pse fizikisht je larg, zemrat tona janë me ty. Tryeza jonë do të jetë e plotë kur të jesh sërish me ne”, përfundoi ai me emocion.

