Përparim Gruda: Sulmet e Kurtit ndaj prokurorisë tregojnë frikën nga zbulimi i korrupsionit

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar ashpër deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë së Shtetit, duke i cilësuar ato si një dëshmi e dështimit të qeverisë në realizimin e reformave të premtuara dhe një tregues i frikës nga hetimet për korrupsionin qeveritar.

“Sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë së Shtetit janë një tregues i qartë i dështimit të tij të plotë në realizimin e reformave të premtuara dhe i frikës nga zbulimi i korrupsionit endemik qeveritar, siç konstatohet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Gruda.

Ai vuri në pah se Kurti, në vend që të raportonte për realizimin e reformave të premtuara gjatë mandatit, po përsërit premtime të vjetra për reformimin e drejtësisë.

“Tani ai duhet të fliste për realizimin e tyre, e jo t’i përsëriste ato”, tha Gruda, duke shtuar se një prej premtimeve kryesore të Kurtit – padia për gjenocid ndaj Serbisë – ende nuk është realizuar. “Pse nuk e bëre padinë për gjenocid ndaj Serbisë, siç e ke premtuar në programin e qeverisë? Apo edhe këtu të pengon Prokuroria e Kosovës?”

Gruda e quajti qasjen e Kurtit një akt të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për rendin ligjor në Kosovë. “Të jesh kryeministër dhe të sulmosh në këtë mënyrë rendin ligjor dhe organet e drejtësisë të vendit tënd nuk është trimëri, por qyqarllëk”, përfundoi ai.

Debatet mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe transparencën qeveritare mbeten në qendër të vëmendjes në prag të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë