Altin Krasniqi: Dita e Veteranëve, kujtim i sakrificës dhe luftës për liri
Altin Krasniqi, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe i biri i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka uruar sot Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke nderuar sakrificën dhe qëndresën e luftëtarëve për lirinë e vendit.
“Urime Dita e Veteranëve të UÇK-së! Sot kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës, duke përfshirë sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe familjes heroike Jashari, të cilët u bënë simbol i qëndresës dhe guximit”, tha Krasniqi në një postim në Facebook.
Ai vuri theksin te çmimi i lartë i lirisë, i cili sipas tij, vazhdon të paguhet edhe sot nga ish-luftëtarët që po mbrojnë dinjitetin e luftës në Gjykatën Speciale në Hagë. “Kjo është një tjetër betejë për të vërtetën dhe për dinjitetin e popullit të Kosovës, që kërkon unitet dhe mbështetje të pakushtëzuar nga të gjithë ne”, shtoi ai.
Krasniqi përsëriti mirënjohjen për të gjithë dëshmorët dhe veteranët e UÇK-së, duke theksuar se liria mbetet amaneti i përjetshëm i kombit.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, respekt dhe mirënjohje për çdo veteran të UÇK-së, dhe mbështetje e fuqishme për ata që po mbrojnë sot vlerat e luftës në emër të popullit tonë”, përfundoi ai.
Mesazhi i Krasniqit vjen në një kohë kur vlerat e luftës dhe sakrifica e veteranëve janë temë e diskutimeve të vazhdueshme në shoqërinë kosovare.