Selim Pacolli, kandidat për deputet: Familja është themeli i kombit dhe prioritet i politikave tona
Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Selim Pacolli, ka shpallur kandidaturën e tij për deputet të Parlamentit të Kosovës. Ai do të jetë pjesë e listës së “Koalicionit për Familjen”, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave familjare në shoqërinë kosovare, teansmeton portali DrenicaOnline.
Në një deklaratë publike, Pacolli u shpreh:
“Familja është institucioni më i çmuar, streha dhe tempulli i shoqërisë sonë. Unë dua të përkushtohem për mbrojtjen dhe fuqizimin e këtij institucioni, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të qëndrueshme”.
Ai theksoi shqetësimin për sfidat që përballen familjet, përfshirë ndikimet në sistemin arsimor dhe nevojën për politika të mirëfillta që ruajnë traditat dhe identitetin kombëtar.
Pacolli, duke cituar Presidentin amerikan Donald Trump, u zotua se do të jetë zëri i mbrojtjes së familjes në Parlament, duke ftuar qytetarët që të mbështesin “Koalicionin për Familjen” në këto zgjedhje.
“Një familje e shëndoshë është themeli i një shteti të shëndoshë. Bashkë jemi më të fortë!” – përfundoi Pacolli në fjalimin e tij.
Zgjedhjet parlamentare të Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025, dhe koalicioni që përfaqëson Pacolli pritet të fokusohet fuqishëm në promovimin e vlerave tradicionale dhe shoqërore./DrenicaOnline/