Aurora Berisha: Qeveria Kurti po e lë Kosovën në terr, PDK-ja do ta rikthejë dritën
Aurora Berisha, kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar ndaj situatës aktuale me reduktimet e energjisë elektrike dhe faturat e larta që po përballen qytetarët në prag të festave të fundvitit.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke e akuzuar për keqmenaxhim të sektorit të energjisë dhe për dështime të njëpasnjëshme gjatë mandatit të saj.
“Në prag të festave të fundvitit, qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike dhe fatura jashtëzakonisht të larta. Kjo është ‘dhurata’ e fundit e Qeverisë Kurti për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Berisha theksoi se Partia Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, është e gatshme të sjellë ndryshimin e nevojshëm për vendin.
“Kosova ka nevojë për energji të reja dhe për njerëz që sjellin dritë dhe shpresë. PDK-ja dhe Bedri Hamza do ta largojnë terrin nga Kosova. Kosova mundet më mirë; Kosova meriton më shumë dritë”, përfundoi ajo.
Ky mesazh është pritur pozitivisht nga mbështetësit e PDK-së, të cilët ndajnë shqetësimin për situatën aktuale dhe shprehin besimin se ndryshimi është i mundur.