Isak Neziri viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”: Sakrifica që na dha lirinë
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Isak Neziri, ka nisur vizitat në Drenicën heroike, duke u ndalur në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai vlerësoi sakrificën e familjes Jashari, duke e cilësuar atë si simbol të lirisë dhe krenarisë kombëtare, transmeton portali DrenicaOnline.
“Sot nisa vizitat aty ku historia e Kosovës është shënuar me gjakun e dëshmorëve dhe ku dhimbja u kthye në krenari. Në Prekazin e frymëzimit tonë dhe në zemrën e Drenicës heroike, kujtojmë dhe nderojmë legjendat e kombit, Adem dhe Hamëz Jasharin. Të mos harrojmë kurrë sakrificat që ndërtuan lirinë dhe identitetin tonë”, deklaroi Neziri.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë dhe nderojnë trashëgiminë historike të vendit, duke e cilësuar atë si themelin mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës./DrenicaOnline/