81-shja e PDK-së, Floriana Rugova: UÇK-ja dhe PDK-ja janë sinonime të lirisë dhe shtet-ndërtimit!
Floriana Rugova, numri 81 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, i përket kandidatëve të cilët i janë futur garës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ajo vjen me një përgatitje superiore dhe me një përvojë për më shumë se një dekadë në institucionet e Kosovës. Përvoja dhe kontributi i saj janë kryesisht në fushën e drejtësisë, në hartimin e legjislacionit dhe në fushën e integrimeve evropiane dhe koordinimit të politikave. Si pjesë aktive e Partisë Demokratike të Kosovës, ajo ka fituar mandat si asambliste nga kjo parti në Komunën e Prishtinës, transmeton portali DrenicaOnline.
Ajo synon që në legjislaturën e ardhshme të jetë zë i fuqishëm dhe adresë e mbrojtjes dhe realizimit të të drejtave të qytetarëve. Për znj. Rugova, nga vlerat më të larta që ka kjo shoqëri është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila është vetë liria e Kosovës, kurorëzim i përpjekjeve shekullore për liri.
Si një kuadër profesional, por edhe e angazhuar prej kohësh në PDK, ajo vlerëson se PDK-ja dhe ish-krerët e saj historikë, z. Thaçi dhe z. Veseli, janë sinonime të shtet-ndërtimit, të cilët aktualisht po ballafaqohen me një gjykatë dhe proces gjyqësor të padrejtë. Ajo është thellësisht e bindur se në fund do të dalin faqebardhë, siç kanë ditur të dalin në procese të tjera, duke u bërë pjesë e historisë sonë të re, por edhe historisë më të lavdishme.
Shteti duhet t’i trajtojë ish-krerët e UÇK-së me dinjitet. Ajo zotohet se do të angazhohet fuqishëm në këtë drejtim./DrenicaOnline/