Gjendet e mitura nga Gjakova që u raportua e zhdukur, deklaron se qëndroi me shokun e saj
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Të shqetësuar për fatin e tyre, ata raportojnë rastet në Polici, me shpresën se do të marrin informacione për vendndodhjen e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje nga Gjakova, ku një vajzë 13-vjeçare ishte larguar nga shtëpia dhe nuk dihej asgjë për vendndodhjen e saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vajza është gjetur dhe tashmë është rikthyer në shtëpinë e saj pasi fillimisht ishte raportuar si e zhdukur nga familja.
Sinjali mëson se e mitura ka dhënë deklaratën e saj lidhur me rastin dhe para hetuesve policorë ka bërë me dije ndër të tjera se ka qëndruar me një shok të saj dhe nuk është abuzuar nga askush.
Pas ekzaminimeve të kryera nuk janë vërejtur shenja të dhunës apo keqtrajtimit dhe gjendja e saj shëndetësore është e mirë.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për ndriçimin e rastit.