Jakup Nura zyrtarizon kandidaturën për deputet: Një luftëtar i orëve të para në shërbim të Kosovës

Jakup Nura ka njoftuar zyrtarizimin e kandidaturës së tij për deputet me numrin 11 në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës. Me një mesazh të fuqishëm drejtuar qytetarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, Nura ka riafirmuar përkushtimin e tij për të kontribuar në të ardhmen e Kosovës, transmeton portali DrenicaOnline.

“Angazhimi im politik është vazhdim i përkushtimit tim të gjatë për vendin tonë. Ashtu siç isha luftëtar i orëve të para për lirinë e Kosovës në ditët më të vështira, sot mbetem po aq i vendosur për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, ka deklaruar Nura.

Ai ka theksuar se liria e Kosovës merr kuptim të plotë kur përkthehet në mirëqenie për të gjithë qytetarët. Në qendër të platformës së tij janë mbështetja për të rinjtë, kujdesi për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, si dhe angazhimi për të siguruar që sakrificat e së kaluarës të shpërblehen me dinjitet.

“Do të punoj pa u lodhur për një Kosovë më të begatë, të fortë dhe të bashkuar. Besimi dhe mbështetja juaj janë thelbësore për këtë rrugëtim”, u shpreh ai, duke ftuar qytetarët ta mbështesin në zgjedhjet e ardhshme.

Jakup Nura është një emër që përfaqëson një histori të gjatë të sakrificës dhe përkushtimit ndaj vendit. Nga radhët e PDK-së, ai synon të jetë një zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës për përfaqësimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të tyre./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë