“Drenica Bau” nderohet me çmimin prestigjioz ‘Phönix’ nga komuna e Mynihut

Mbrëmë në qytetin e Mynihut në Gjermani, në një ceremoni të organizuar nga kryetari i komunës Dieter Reiter, u ndanë çmimet për firmat më të suksesshme në Bavari. Ndër të vlerësuarit ishte edhe firma “Drenica Bau”, pronar i së cilës është Besnik Drenica, një sipërmarrës nga Kosova. Firma u nderua me çmimin prestigjioz “Phönix”, i cili vlerëson arritjet ekonomike të sipërmarrësve me histori migrimi.

Çmimi për “Drenica Bau”

Këshilltari bashkiak i Mynihut, Deli Balidemaj, theksoi rëndësinë e këtij çmimi gjatë ceremonisë. Ai vlerësoi fjalimin përshëndetës të mbajtur nga referenti ekonomik dhe kandidati për kryetar bashkie i CSU-së, Clemens Baumgärtner, duke e cilësuar atë si të mrekullueshëm.

“Ky çmim prestigjioz u jepet sipërmarrësve me prejardhje migrimi, duke vlerësuar arritjet e tyre të jashtëzakonshme ekonomike. Nderimi i tillë reflekton rëndësinë e diversitetit dhe kontributin e diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovativ të ekonomisë lokale”, tha Balidemaj.

Momenti i ndarjes së çmimit, Besnik Drenica me dy djemtë e tij

Në fjalën e tij, pronari i “Drenica Bau”, Besnik Drenica, shprehu mirënjohjen e tij ndaj kryetarit të komunës z.Dieter Reiter, konsullit të Kosovës z.Afrim Nura, këshilltarit Deli Balidemaj, partnerëve afaristë, bashkëkombësve dhe miqve që ishin të pranishëm në këtë ngjarje.

Ai theksoi se përkushtimi dhe puna e palodhshme kanë bërë që firma e tij të renditet mes më të suksesshmeve në Bavari.

Besnik Drenica dhe Afrim Nura

Ky sukses dëshmon përpjekjet e diasporës shqiptare për të dhënë kontribut të madh në arenën ndërkombëtare dhe vlerëson punën e palodhshme të sipërmarrësve që përfaqësojnë vendin tonë me krenari.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë