Gjyqtarja Maselot thotë se Thaçi duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim

Gjyqtarja Majorie Maselot në fund të seancës së parë dha urdhërin me gojë për paraburgimin.

“Duke marrë parasysh parashtrimet e palëve, unë vendos që zoti Thaçi duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Arsyet për vijimin e paraburgimit janë të njejtat që kam përcaktuar në vendimin mbi fletarrestin dhe çështjet në lidhje me të, konkretisht të shprehura në paragrafët 43, 45, dhe 55”, tha ajo.

Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kërkoi nga Dhomat e Specializuara në Hagë që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse sipas tij, ato janë produkt i Republikës së Kosovës. Thaçi deklaroi kështu pasi iu lexua aktakuza e re në seancën e nisur sot në Hagë.

Ai tutje tha se gjatë këtyre katër viteve sa është duke u përballur me një proces tjetër gjyqësor është përballur me vlerësime keqinterpretuese për historinë e Kosovës.

“Tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirinë, shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, më se paku nga viti 1980 deri më sot. Është një proces voluminoz”, tha Thaçi.

Ai theksoi se pret drejtësi dhe beson në drejtësi në procesin me të cilën po përballet, e në anën tjetër thekson se ai nuk paraqet rrezik politik për askënd.

“Shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, presim drejtësi dhe besojmë në drejtësi. Papritmas para 3 ditësh u informova për akuzën e re. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik politik për askënd. Prandaj kërkoj edhe sot, nga të gjithë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i Republikës së Kosovës” deklaroi Thaçi. 

Ai nuk u deklarua mbi akuzat e reja.

“Për shkak të angazhimeve tjera, unë nuk kam pasur mundësi që ta diskutojë në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana juaj, prandaj do të deklarohem në kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor”, deklaroi Thaçi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë