Shërbimi Korrektues i Kosovës pranohet në rrjetin Evropian të Burgjeve – EuroPris

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar për një hap historik, pranimin si anëtar të rrjetit prestigjioz evropian të burgjeve, EuroPris, që synon përmirësimin e kushteve dhe menaxhimit të institucioneve korrektuese.

Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, sot e ka pranuar letrën zyrtare të konfirmimit për anëtarësimin.

Dibrani tha se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për përmirësimin e praktikave dhe rritjen e kapaciteteve të Shërbimit Korrektues.

“Ky anëtarësim hap rrugë për mundësi të reja bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbim përvojash dhe forcim të sigurisë dhe menaxhimit të burgjeve, duke pasur si qëllim rritjen e efikasitetit dhe përmbushjen e standardeve më të larta në shërbimet korrektuese.”

EuroPris, si një platformë unike që lidh institucionet e burgjeve dhe atyre sprovuese në të gjithë Evropën, promovon standarde të larta, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Përmes këtij rrjeti, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe mësimeve të veta, duke përfituar gjithashtu nga praktikat më të mira të vendeve anëtare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë