Shahin Dervishaj për vendimin ndaj Sokol Bashotës: “Fitore e drejtësisë dhe dëshmi e pastërtisë së luftës së UÇK-së”

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Shahin Dervishaj, ka reaguar pas lajmit se Gjykata Speciale në Hagë ka pushuar hetimet ndaj ish-kryetarit të Komunës së Klinës dhe luftëtarit të UÇK-së, Sokol Bashota.

Në reagimin e tij, Dervishaj e cilëson këtë vendim si dëshmi të pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si një triumf për të gjitha vlerat për të cilat janë angazhuar luftëtarët e lirisë, transmeton DrenicaOnline.

“Sapo mora lajmin e gëzueshëm se Gjykata Speciale në Hagë ka pushuar të gjitha hetimet ndaj luftëtarit të lirisë dhe patriotit të nderuar, Sokol Bashota. Ky vendim është dëshmi e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe konfirmim i përkushtimit të saj ndaj vlerave më të larta njerëzore dhe ligjore,” tha Dervishaj.

Ai shtoi se kjo fitore e drejtësisë është një triumf jo vetëm për Bashotën, por për të gjithë ata që kanë luftuar për liri dhe dinjitet.

“Ky është një moment që na rikujton fuqinë dhe pastërtinë e idealeve për të cilat kemi luftuar,” theksoi ai, duke shprehur gjithashtu shpresën se një epilog i tillë do të ndodhë edhe për drejtuesit dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerët që po përballen me gjykime që ai i cilëson të padrejta.

Mesazhi i Dervishajt përcjell një optimizëm për drejtësinë dhe një përkushtim të palëkundur ndaj vlerave të luftës çlirimtare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë