Deputetja Ganimete Musliu merr pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë në Washington

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, po merr pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë, që po mbahet në Washington.

Ky forum, një ndër më të rëndësishmit në nivel ndërkombëtar, mbledh parlamentarë dhe zyrtarë qeveritarë nga vende të ndryshme për të diskutuar mbi sfidat dhe zgjidhjet në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, transmeton DrenicaOnline.

Ganimete Musliu theksoi rëndësinë e këtij forumi, i cili trajton tema të rëndësishme si financimi i kundër-terrorizmit, siguria kibernetike, investimet e huaja grabitqare, shkëmbimi i inteligjencës, teknologjitë 5G, inteligjenca artificiale dhe aspekte të tjera kritike për sigurinë globale.

“Diskutimet në këtë forum ofrojnë njohuri praktike dhe mundësi për iniciativat legjislative, si dhe përforcojnë bashkëpunimin me aleatët e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit,” tha Musliu, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërkombëtar.

Forumi, deri më tani, ka organizuar 17 takime me pjesëmarrjen e mbi 1300 deputetëve dhe zyrtarëve qeveritarë nga 90 vende, duke u shndërruar në një platformë kyçe për dialog dhe koordinim global mbi çështjet e sigurisë.

Pjesëmarrja e deputetes Ganimete Musliu në këtë forum konfirmon angazhimin e Kosovës për t’u bërë pjesë aktive e diskutimeve dhe zgjidhjeve globale në fushën e sigurisë dhe inteligjencës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë