Jasharaj: Nuk përjashtoj grevën e përgjithshme në arsim – nëse ndodh kjo, fajin e ka Qeveria Kurti
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), sot ka mbajtur një protestë për të shprehur pakënaqësinë për mospërmbushjen e kërkesave të tyre.
Ata kanë paraqitur disa kërkesa, mes tyre edhe atë për rritje pagash dhe për nënshkrimin e kontratës kolektive.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se ministrja Arbërie Nagavci po vazhdon të etiketojë krerët e SBASHK-ut në vend se të ulet dhe të komunikojë.
“Nagavci del e mundohet të na etiketojë në vend që të dalë dhe të komunikojë me ne paska vazhduar me komunikata se gjoja SBASHK-u po e bën këtë aktivitet për fushata. SBASHK-u nuk është në zgjedhje, ne nuk kërkojmë votë për parlament. Ne jemi zëri i anëtarësisë”, u shpreh ai.
Jasharaj tha se nuk e përjashton grevën e përgjithshme dhe nëse ndodh kjo, fajin kryesor e ka Qeveria Kurti.
“Zonja Nagavci asnjëherë nuk foli për arsimin. Ne jemi për dialog. Fajtori numër një është Kurti, numër dy ministri Murati i dhe numër tre minsitrja Nagavci. Unë nuk mund të përjashtoj grevën e përgjithshme dhe po ndodhi kjo fajet i ka Kurti dhe Qeveria e tij. I lutem edhe Qeverisë edhe Kurtit edhe Zotit që kurrë më mos të përsëritet shtatori i vitit 2022”, tha Jasharaj.