Ariana Musliu- Shoshi: LVV po synon të instalojë sistem autokratik duke shtypur lirinë e medias
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me raportimet për përpjekjet e pushtetit për të ndikuar mbi mediat. Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për tentimin e instalimit të një sistemi autokratik dhe kufizimin e lirisë së shtypit dhe të fjalës.
“Vrasja e demokracisë fillon kur zëri i lirë shtypet dhe kur mediat, që duhet të jenë zëri i qytetarëve, shndërrohen në mjete propagande. Qëllim i LVV-së është instalimi i një sistemi autokratik, ku provon të shtrijë kontrollë të plotë mbi mediat duke kufizuar lirinë e shtypit e të fjalës”, ka shkruar deputetja.
Musliu-Shoshi ka theksuar rëndësinë e hetimit të skandalit të publikuar nga Paparaci, që sipas saj tregon përfshirjen e pushtetit në përpjekje për të manipuluar mediat dhe për të implikuar Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), një institucion që ajo e vlerëson si ndër më kredibilet në vend.
“Skandali i publikuar sot nga Paparaci tregon qartë tentimin e këtij pushteti për të implikuar edhe AKI-në, njëri ndër institucionet më kredibile në vend. Prokuroria duhet me urgjencë të HETOJË këtë çështje!” ka theksuar ajo.
Në përfundim, deputetja e PDK-së ka bërë thirrje për mbrojtjen e mediave të pavarura, të cilat i ka quajtur themel të demokracisë, duke nënvizuar se mbrojtja e tyre është një detyrë kombëtare.
Ky reagim i Musliu-Shoshit vjen në një kohë të tensionuar, ku raportimet për ndërhyrje në media kanë ngritur shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Kosovë.