Pas pak fronti i fuqishëm, pritet të sjellë reshje të dendura shiu e bore, si dhe erëra të forta deri në 100 km/h
Aktualisht kemi reshje shiu në shumë pjesë të Kosovës, të cilat më intensive janë në Rrafshin e Dukagjinit, e po ashtu edhe erëra mjaft të forta nga jugu dhe jugperëndimi, ku në disa zona kanë arritur mbi 80 km/h, duke shkaktuar edhe dëme materiale dhe jo vetëm, sidomos në Gjakovë.
Në ndërkohë, cikloni i fuqishëm, i cili ka sjellë reshje të dendura shiu e bore në pjesë të shumta të Evropës, duke shkaktuar edhe vështirësi në qarkullimin rrugor dhe atë ajror, do të arrijë për pak kohë në vendin tonë, çka edhe do të paraprihet nga fronti i dytë i fuqishëm gjatë kësaj jave, duke sjellur intensifikim të reshjeve të shiut dhe borës, të shoqëruara lokalisht me shkarkesa rrufesh.
Po ashtu, fronti do të sjellë edhe erëra jashtëzakonisht të forta nga veriu në të gjithë vendin, me shpejtësi maksimale prej 50 deri në 90 km/h, ndërsa në zonat malore edhe mbi 100 km/h.
Si pasojë e reshjeve të fuqishme të shiut, lokalisht mund të ketë edhe vërshime, sidomos në zonën perëndimore dhe jugperëndimore.
Reshjet e borës pritet të shtrihen më shumë në mbrëmje dhe sërish do të jenë më të përqëndruara në Rrafshin e Kosovës, megjithatë, sipas parashikimeve të fundit, edhe disa zona të Rrafshit të Dukagjinit pritet të përfshihen nga reshjet e borës, sidomos Prizreni.
Temperatura maksimale në rang vendi deri në 15°C, ndërsa me ardhjen e frontit do të pësojnë ulje të shpejtë, ku deri në mbrëmje më vonë parashihet të zbresin në vlera negative në shumë vende.