Me nderime ushtarake u varros zyrtari i lartë i FSK-së, Liman Musliu

Me nderime të larta ushtarake u varros sot zyrtari i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Liman Musliu në fshatin e tij të lindjes në Likofc të Skenderajt.

Për të bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhe Likofc, morën pjesë familjarë, miq, shokë, kolegë të FSK-së, si dhe një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në emër të komandantit të FSK-së dhe të gjithë ushtarakëve fjalën e mori zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, i cili pasi shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, shokët dhe kolegët, vlerësoi lartë punën dhe kontributin e çmuar të Liman Musliut në të gjitha periudhat e shërbimit të tij për vendin “së bashku me Limanin krijuam themelet e shtetit të Kosovës, ai ishte frymëzim, ishte shok e mik për të gjithë ne”.

Gjatë ceremonisë së varrimit , folën edhe nga familja Jashari z. Bekim Jashari, Kryetari i Komunës së Skenderajt z. Fadil Nura, komandanti i njësisë Tigrat e Zi, Ferid Berisha nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilën vlerësuan lartë kontributin e Limanit si në luftë po edhe pas luftës në krijimin e institucioneve të sigurisë në vende.

Liman Musliu ishte Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brigada 111 “Adem Jashari”, pjesëtar i Trupave të Mbrojtjes dhe vdekja e ndau në pozitën zyrtar i lartë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

I ndjeri pas vetës la një familje të shëndoshë, nënën, bashkëshorten dhe tre fëmijët, dy djem dhe një vajzë, të cilët i rriti dhe i edukoi më frymën e atdhedashurisë, si ishte edhe vet ai!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë