Miku i Lladrovcit në qiellin e politikës australiane, fiton mandatin e gjashtë në bashkinë Dandenong

Për herë të gjashtë, Jim Memeti, me origjinë nga Kishava e Manastirit, është fitues në fushatë zgjedhore, për të udhëhequr në Këshillin e bashkisë Greater Dandenong. Kjo bashki është e ngjitur me metropolin Melbourne në Australi, specifikë e të cilit janë shumë kultura dhe raca nga të gjitha kontinentet që bashkëjetojnë në harmoni brenda hapësirës urbane.

Në këtë qytet me mbi 170 mijë banorë, ku fliten mbi 130 gjuhë të botës dhe me origjinë të vendlindjes nga mbi 150 shtete, për herë të gjashtë është zgjedhur Kryetar Bashkie, atdhetari e njeriu i mirë, Jim Memeti, shqiptar i gjeneratës së dytë në Australi.
Jim Memeti është fort i lidhur me vendlindjen e tij, Kishavën e Manastirit, në fshatin në kufirin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. I rritur dhe edukuar në një familje mërgimtarësh, Jim Memeti është nga fshati që tashmë ka më shumë banor në Australi se në Kishavë, por, vendlindjen, gjuhën, traditën dhe besën, i ka të qëndrueshme sikur të jetonte në atdhe.

Ai politikës ia ka filluar në rininë e hershme, sipas ligjit të shtetit Viktoria në Australi, deri më tash pesë herë ka udhëhequr bashkinë në kuadër të Këshillit të qytetit Greater Dandenong, tashmë ka fituar edhe për herë të gjashtë besimin e qytetarëve të Greater Dandenong. Megjithëse larg atdheut, mikpritjen e ka pikë të fortë.

I tillë është Jim, miku im, i cili vitin e kaluar e vizitoi Kosovën dhe shtetet tjera në Ballkan ku jetojnë shqiptarët. Ai ishte i mrekulluar me arritjet tona, njëherësh, ishte i lumtur me vullnetin tonë, për të punuar dhe për të bërë përparime në atdhe.

Shqiptarët, në këtë pjesë të botës, brenda kufijve administrativ të votimit, të kësaj pjese ngjitur me perlën e Australisë, qytetin Melbourne, ashtu sikur deri më tash i dhanë përkrahje të fuqishme shqiptarit Jim Memeti. Njëshin ndër shqiptarët që flasin shqip pritet ta përkrahin sërish edhe dhjetëra komunitete e kombe tjera, të mirënjohura për tolerancë, bashkëjetesë dhe harmoni multikulturore.

Në Australi, gjithsesi e ngriti lart si asnjë herë më parë në politikë, emrin e shqiptarit nëpërmjet mbiemrit Albanese në kontinentin më të ri, në Australi, nga viti 2022, është kryeministri me origjinë arbëreshe, biri i Carlo Albanese dhe Maryanne Therese Albanese, Anthony Albanese.

Urojmë që ashtu si kryeministri Albanese në nivel kontinenti e lartësoi origjinën e tij dhe mban me xhelozi mbiemrin Albanese, ashtu edhe mikun tim Jim Memeti, e përgëzoj për mandatin e gjashtë dhe uroj të korrë suksese të mëtejme në nivele shteti në Australinë e largët, duke na bërë krenar të gjithë shqiptarëve, pavarësisht vendlindjes tonë.

RAMIZ LLADROVCI✍️

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë